Shqipëria thekson angazhimin e plotë me BE-në për sigurinë dhe stabilitetin evropian

Shqipëria thekson angazhimin e plotë me BE-në për sigurinë dhe stabilitetin evropian

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim të martën në Bruksel me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, Hoxha theksoi se gjatë takimit rikonfirmoi linjëzimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ky qëndrim reflekton angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj parimeve dhe përgjegjësive që vendi ynë ndan me partnerët evropianë.

“Shqipëria mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, duke mbrojtur me vendosmëri vlerat që qëndrojnë në themel të projektit tonë të përbashkët evropian dhe duke kontribuuar aktivisht në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë e kontinentit evropian”, citohet të ketë thënë Hoxha.

Në një kohë kur lufta, konfliktet dhe kërcënimet hibride sfidojnë gjithnjë e më shumë sigurinë evropiane dhe globale, sipas ministrit të Jashtëm shqiptar, mbetet thelbësore të ruhet një angazhim i fortë në mbështetje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla të pranuara ndërkombëtarisht.

“Në këtë fazë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i Partneritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në, tashmë në vitin e tij të dytë, dëshmon vendosmërinë tonë për të thelluar dialogun dhe për të rritur bashkëpunimin praktik në mbështetje të qëndrueshmërisë strategjike dhe kapaciteteve mbrojtëse të Evropës”, shtoi më tej Hoxha.

Sipas ministrit të Jashtëm shqiptar, Shqipëria, si një anëtare e përkushtuar e NATO-s dhe një vend kandidat i angazhuar për anëtarësim në BE, mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në sigurinë kolektive. Kjo do të realizohet përmes forcimit të kapaciteteve dhe gatishmërisë së saj, mbështetjes së menaxhimit të krizave dhe rritjes së qëndrueshmërisë së përbashkët, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e rolit të Bashkimit Evropian në skenën globale.

Gjatë takimit, zëvendëspresidentja Kallas vlerësoi Shqipërinë për linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, një fakt që e bën Shqipërinë një aleat serioz për vetë Unionin.