Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, ndonëse u premtuan të paktën dy
Në një vend ku zjarret kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë tokë në dekadën e fundit, premtimet politike për përforcimin e flotës ajrore me avionë zjarrfikës nuk janë çështje retorike, por çështje jetike. Megjithatë, premtimi i bërë gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, se Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrfikës të gatshëm për sezonin veror, rezulton i pambajtur.
Vera erdhi, zjarret nisën, por Shqipëria ende nuk ka asnjë avion zjarrfikës. Një kërkesë për informacion e drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes konfirmon zyrtarisht se, ndryshe nga sa u premtua, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk disponojnë asnjë avion zjarrfikës. Në përgjigjen e kthyer zyrtarisht, ministria njofton thjesht: ”Ju informojmë se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) aktualisht nuk disponojnë avionë zjarrfikës.”
Në fakt, për zjarret aktive në vend, avionët zjarrfikës erdhën nga vendet e Bashkimit Europian në kuadër të programit EU Solidarity. Gjatë ditëve të fundit, flakët kanë përfshirë zona të ndryshme të Shqipërisë si Delvina, Bulqiza, Borshi, Lukova, Kanina, Berati dhe Pusteci. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se ”gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.”
Mungesa e avionëve zjarrfikës është denoncuar edhe nga kreu i institutit për Bashkitë e Shqipërisë, sipas të cilit Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk disponon asnjë avion apo helikopter të dedikuar për shuarjen e zjarreve nga ajri.
Premtimi për avionë zjarrfikës nuk është i ri për qeverinë. Ai është një riciklim i deklaratave të mëparshme. Në janar të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes njoftoi publikisht se Shqipëria po përgatiste dokumentacionin për blerjen e dy avionëve shumëfunksionalë, të përshtatshëm për ndërhyrje në raste zjarresh dhe për mbështetje agrokulturore.
Pyetjet që ngrihen nga kjo mospërputhje mes deklaratave politike dhe realitetit janë disa. Sa ka kushtuar dështimi për të pajisur vendin me avionë zjarrfikës në kohë? Sa sipërfaqe mund të ishte shpëtuar? Sa jetë njerëzish dhe burimesh janë vënë në rrezik për shkak të mungesës së logjistikës ajrore?
Në mungesë të transparencës, publiku nuk ka mundësi të gjykojë nëse vonesat janë për arsye financiare, burokratike apo thjesht për mungesë vullneti politik. Asnjë informacion për tendera, kontrata apo faza të prokurimit nuk është bërë publik deri më sot. Nisur nga të dhënat, premtimi i bërë gjatë fushatës zgjedhore për vendosjen e dy avionëve zjarrfikës në dispozicion të flotës ajrore shqiptare konsiderohet i pambajtur.