Shpëtohet edhe ura në kufirin ndarës mes Matit e Mirditës
Një tjetër investim i rëndësishëm është bërë në aksin nacional Burrel – Rrëshen kohët e fundit. Pas ndërhyrjes së bërë tek ura në Sukbull, është ndërhyrë edhe tek një tjetër urë. Bëhet fjalë për urën e cila ndodhet në kufirin ndarës mes Matit dhe Mirditës.
Ura në fjalë ishte në rrezik shembje të plotë, pasi në të dyja anët kishte nisur shembja si pasojë e mungesës së gjatë të mirëmbajtjes. Një nga kushtet e kontratës mes ARRSH dhe firmës mirëmbajtëse ka qenë ndërhyrja emergjente në këto dy vepra për t’i shpëtuar ato nga dëmtimi i mëtejshëm.
Ura në kufirin ndarës mes dy bashkive ishte kthyer në një rrezik shumë të madh, pasi ujërat e shiut kishin gërryer anën lindore hyrëse në urë.
Ndërkohë, pas investimit të bërë me muret prej betoni, është rivënë në funksion edhe kanali kullues i rrugës në mënyrë që ujërat e shiut të mos përfundojnë më mbi urë.
Megjithatë, e gjithë rruga ka problematika të shumta; si me rënien e dherave ashtu edhe me prani të gropave që nga ura e Matit e deri në qytetin e Rrëshenit.