
Të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri kanë kaluar në gatishmëri pas një shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e djeshme jashtë burgut të Fushë-Krujës.
reth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.
Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse.
Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.
Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Pamjet filmike të sigurisë janë administruar dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor. Gjithashtu, po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorëve.