
Banorët e zonës së Gollobordës që përfshin Ostrenin e Trebishtin në Bashkinë Bulqizë janë ankuar vazhdimisht për mungesën e investimeve nga ana e instancave lokale e shtetërore. Rruga nga Ura e Çerenecit – në Librazhd iu është premtuar prej vitesh, për të mos thënë dekadash që do të asfaltohej. Por jo vetëm që nuk është asfaltuar, por edhe nuk është mirëmbajtur nga autoritetet përgjegjëse. Drejtuesit e mjeteve dhe vetë banorët e Gollobordës shprehen se ata ndjehen të diskriminuar nga shteti i tyre, pasi nuk ka bërë asnjë investim të mirëfilltë për përmirësimin e cilësisë së jetesës. Një ndër problematikat më të mëdha është rruga, në të cilën mund të kalojnë vetëm mjete të larta. Mungesa e investimeve sipas banorëve ka bërë që shumica e tyre të marrin nënshtetësi Bullgare, pasaporta e sëcilës ju ka hapur dyert e Evropës.
Që në muajin Shkurt të këtij viti Fondi Shqiptrar i Zhvillimit njoftoi hapjen e garës për asfaltimin e rrugës Ura e Çerenecit –Librazhd, por edhe pse kanë kaluar afro 8 muaj, ende nuk është bërë publike fituesi i zbatimit të projektit, duke mbetur kështu një ëndërr e parealizuar për të gjithë banorët që përfshin ky aks rrugor.