Shpërthen gazi i akumuluar në një banesë, plagosen burrë e grua në Bulqizë
Një sasi gazi gatimi e akumuluar në një hapsirë të një banese në Bulqizë ka shpërthyer mëngjesin e kësaj të enjte. Për pasojë pati dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht jo në jetë njerëzore. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, në njësinë administrative Shupenzë, në një banesë, ku dyshohet se ka shpërthyer aksidentalisht një bombul gazi. Si pasojë kanë mbetur të lënduar lehtë shtetasi M. M. dhe shtetasja Rr. M, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Çifti i bashkëshortëve është jashtë rrezikut për jetën dhe pas ndihmës mjekësore të marrë nga bluzat e bardha të spitalit të Bulqizës janë larguar për në banesë. Ndërkohë, vala e shpërthimit ka qenë e fuqishme teksa ka dëmtuar edhe një pjesë të çatisë së banesës dykatëshe. Grupi hetimor ishte në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të shpërthimit të gazit.