Shkopet. Vijon katastrofa natyrore me mbeturinat, asnjë masë e marrë

0

Bregu i liqenit të Shkopetit vijon të jetë i ndotur. Ndonëse ky liqen ka një pamje piktoreske, ndotja e vazhdueshme me mbeturina të konsumit të përditshëm po e dëmton atë. Ky stog mbeturinash ndodhet në afërsi të tunelit të Shkopetit ku dhe është kufiri ndarës mes dy njësive administrative Bashkisë Mat e asaj Kurbin. Megjithëse është bërë disa herë problem në media, askush nuk e ka marrë mundimin për t’i larguar këto mbeturina.
Edhe gjatë stinës së vjeshtës pamja e luginës së Shkopetit është mjaft tërheqëse me një larmi ngjyrash. Por prania e mbeturinave e prish totalisht imazhin për të gjithë udhëtarët që ndalojnë për të parë këto pamje apo për të fiksuar me aparatet e tyre momentet e udhëtimit.
Mbeturinat në këtë vend, jo vetëm që nuk janë hequr, por janë shtuar akoma më shumë. Ndryshe nga ato që gjenden përgjatë rrugës, një stog i tillë mbetjesh nuk mund të krijohet kurrsesi nga udhëtarët, por vetëm nga ndonjë biznes apo familjarë që prodhojnë shumë mbetje të plastikës.