Shkolla me 1 nxënës në Dibër
Drama e largimit të popullsisë nga fshatrat e Dibrës ka prekur më së shumti arsimin. Në shkollën e arsimit fillor në fshatin Rreth Kale të Dibrës dikur mësonin mbi 30 nxënës, por sot nuk ka asnjë. I vetmi fëmijë që frekuenton këtë shkollë është në kopësht. Ish-mësuesi Lazim Dishi tregon se në këtë shkollë, dikur bëhej mësim i rregullt pasi kishte shumë nxënës. Megjithëse për këtë objekt u harxhuan miliona lekë për rikonstruksion, Dishi shpjegon se vetëm një fëmijë kopshti e frekuenton pasi nuk ka asnjë fëmijë në fshat në ciklin e ulët, por vetëm në Arsimin e Mesëm të Ulët, të cilin e bëjnë në shkolla të tjera përreth fshatit. Për ish-mësuesin Lazim Dishi kjo është drama më e madhe që po i ndodh vendit tonë ndaj dhe institucionet duhet të gjejnë mekanizma për të rikthyer jetën në fshat si dikur.
Të njëjtin fat me fshatin Rreth Kale kanë edhe shumë fshatra të tjerë të Dibrës që kanë shkolla të mbyllura totalisht ose në rastin më të mirë të hapura por me shumë pak nxënës.