Shkarkohet shefi i komisariatit të Dibrës, ishte emëruar vetëm pak muaj më parë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka firmosur të hënën disa ndryshime në strukturat drejtuese në disa qytete të vendit tonë. Mes ndryshimeve në disa qytete është shkarkuar edhe shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Mariglen Duçi, i cili është emëruar shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Kukës.
Po ashtu në vend të Duçit, Shef i Komisariatit të Policisë Dibër është emëruar Ervis Gjoshi. Ndërkohë, motivacioni i fundit në lëvizjen e drejtuesve të policisë së shtetit në disa qarqe ka qenë performanca e dobët në punë, por pa dhënë detaje konkrete se ku.
Mariglen Duçi ishte emëruar shef i komisariatit të policisë Dibër vetëm 2 muaj më parë me 29 tetor të këtij viti. Ai u transferua nga shef i komisariatit të policisë së Malësisë së Madhe, për të drejtuar komisariatin e Dibrës.
Ndërkaq, mësohet se procesi i vlerësimit të performancës do të vijojë edhe në struktura të tjera të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se gjatë muajit janar pritet një tjetër “furtunë” ndryshimesh në polici, ku pothuajse të gjithë drejtorët e qarqeve mund të zëvendësohen.