Shkarkimet e Kontrolluara nga HEC-et e Drinit, Rrezik Përmbytjesh në Nënshkodër
Që prej paradites së kësaj të hëne kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se si pasojë e shkarkimeve, por edhe prej reshjeve të fundit dhe rritjes së temperaturave, është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës. Sipas autoriteteve, situata mund të sjellë rritje të mëtejshme të niveleve të ujërave, veçanërisht në territorin e Nënshkodrës, duke shtuar rrezikun për përmbytje në zonat e ulëta. Në këtë kuadër, banorëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve, për të minimizuar rrezikun dhe pasojat e mundshme.