Shiu rikthen “pellgjet” në aksin nacional Ura e Matit – Rrëshen
Aksi rrugor nacional Ura e Matit – Rrëshen vijon të jetë shumë problematik për të gjithë drejtuesit e mjeteve që e përdorin këtë rrugë. Kanë mjaftuar pak reshje shiu që në këtë aks rrugor në të cilin kalojnë qindra automjete në ditë të rikthehen pellgjet e mëdha dhe gropat e rrezikshme. Më problematike situata paraqitet nga ura e Matit deri tek lapidari i Zenishtit, por edhe më andej problemet janë evidente. Gropat e mbushura me ujë janë kthyer në shqetësim të madh për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Këta të fundit thonë se kjo rrugë nuk po mirëmbahet siç duhet pasi ndërhyrjet bëhen me fushata dhe jo në mënyrë të vazhdueshme. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë që taksat që paguajnë ndaj shtetit të kthehen në shërbime dhe jo tju bëhet automjeti për shërbime sa herë kalojnë në këtë rrugë.
Aksi rrugor Ura e Matit – Rrëshen është dhënë për mirëmbajtje vetëm pak muaj më parë, ndërsa mbetet ndër akset më të dëmtuara në të gjithë vendin që janë në inventarin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.