Shirat e fillimvitit, krijojnë probleme edhe në rrugën nacionale Burrel – Klos
Një nga problemet që lanë pas reshjet e shumta të shirave të rëna gjatë muajit Dhjetor të vitit të kaluar e Janar e Shkurt të këtij viti është edhe deformimi i rrugës nacionale Klos – Burrel, pranë burimit të ujit në afërsi të “Kthesës së Sanës”. Në fakt ky segment rruge ka qenë prej 30 vitesh një problem i shtuar i aksit nacional, ndërsa me rikonstruksionin e bërë në vitin 2018 u eleminua, pasi kompania që kishte zbatimin e projektit hodhi të gjitha nënshtresat. Por duket se problemi është kthyer sërish nga reshjet e shumta të shiut të cilat kanë fryrë nëntokën në këtë zonë. Siç duket nga pamjet, asfalti ka pësuar çarje ndërsa rruga ka çeduar në një gjatësi shumë të konsiderueshme. Vazhdimisht ky segment rrugor ka qenë problematik, ndërsa ekspertët kanë sugjeruar që të ndërtohen pilotë në mënyrë që të mos ketë problematika të tilla në të ardhmen. Tashmë mbetet në përgjegjësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar për të ndërhyrë, sa ende problemi nuk është bërë më i madh. Ekspertët këshillojnë që ndërhyrja të jetë e menjëhershme për të shmangur koston më të lartë në rast të dëmtimit të mëtejshëm.