
Jeta sentimentale e 3 grave të reja me profesione të ndryshme që janë në kërkim të dashurisë është komedia e titulluar “V³” me regji të shkodranit Bruno Shllaku dhe që interpretohet nga aktoret e teatrit “Bylis” të Fierit, Mimoza Marjanaku, Rudina Nallbani dhe Miola Sitaj. Kjo shfaqje e zhanerit komedi u zhvillua mbrëmjen e së premtes në sallën e madhe të pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” në Burrel. Aktoret e kësaj komedie, thanë se shfaqja është pritur mjaft mirë edhe në publikun matjan dhe synon që të heqë një tabu për tema të ndjeshme siç janë ato sentimentale.
“V në kub” është simboli astrologjik i femrës, Venusit. “V në Kub”, përmban edhe simbolin e tre personazheve femra,Valeri, Vitori dhe Valentina. Shfaqja trajton jetën e tre grave në profesione të ndryshme të cilat me lojën e tyre sjellin jetën sentimentale, kërkimin drejt lumturisë, vështirësitë që ato hasin për të gjetur lumturinë e tyre. Ajo trajton barazinë gjinore dhe shumë probleme aktuale të kohës.