
Deputetët e Partisë Demokratike, Dashnor Sula dhe Kreshnik Çollaku janë përplasur me njëri-tjetrin pas mbylljes së komisionit për Çështjet Evropiane ditën e sotme.
Në pamjet e siguruara Çollaku dhe Sula shfaqen teksa shkëmbejnë ofendime me Çollakun që i drejtohet me cilësimet “lëngaraq, servil dhe legen”, ndërsa Sula e cilëson kolegun si “mashtrues”.
Deputeti Çollaku i thotë Sulës se do të bëjë kallëzim penal ndaj tij, pasi ai iu drejtua me fjalët “ta pres fytin”, ndërsa e ka qëlluar me dosje në pjesën e poshtme.
Sakaq, është dashur edhe ndërhyrja e një prej pjesëtarëve të Gardës së Republikës për të ndarë dy deputetët e opozitës.
Pjesë nga debati:
Çollaku: Të foli njeri?
Sula: O udhëheqës i madh.
Çollaku: Mos më bëj si trim mua se e di unë çfarë je.
Sula: Ta pres fytin unë.
Çollaku: Do bëj kallëzim penal, Servil, legen.
Sula: Ti je mashtrues, kështu ke qenë gjithë jetën tënde.
Çollaku: Je servil, bën si opozitar, e në darkë çon mesazhet. Hapi letrat të shohim ku i ke tenderat.
Deputeti Kreshnik Çollaku ka deklaruar për mediat pas sherrit me kolegun Dashnor Sula se ajo që ndodhi ishte një incident i turpshëm. Ai shtoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të ndodhte një incident i tillë, si ai me deputetin tjetër demokrat.
“Sqaroj opinionin publik lidhur me incidentin e turpshëm që ndodhi sot. Kam 30 vjet i angazhuar në politikë. Nuk flas për veten, por mbase sot është dita. Jam një prej studentëve të dhjetorit ’90. Jam themelues i PD-së dhe një prej drejtuesve të forumeve rinore që mes armëve organizonim rezistencë në kushte kur jeta nuk ishte e sigurtë.
Kam dashur një PD evropiane dhe të reformuar. Nuk kam pasur pengesë për të thënë idetë e mia. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do gjendesha në një situatë të tillë. Unë jam anëtar i komisionit për Çështjet Evropiane. Kam marrë pjesë si i ftuar nga kryetarja Tabaku.
U gjenda në sallë me një situatë surprizë, mbledhja drejtohej nga nënkryetarja dhe të pranishëm ishin ish-kolegë që s’janë anëtarë të komisionit, por nuk u shqetësova. Për shkak të rrëmujës, edhe pse unë e mbështes kërkesën e tyre për komisionet parlamentare, nuk arrita dot të dëgjoja ministren për integrimin dhe t’i thoja se qeveria e Ramës është përgjegjëse për vonesën e plotësimit të hapave për integrimin”, u shpreh ai.
Sipas tij nuk përjashtohet mundësia e një kallëzimi të Sulës në SPAK lidhur me atë që ndodhi.
A do e kallëzoni në SPAK zotin Sula?
Çollaku: Juristët e mi po vlerësojnë rastin për kallëzimin, nuk përjashtohet si mundësi.
balkanweb