Dibër, sherri i grave para 8 muajsh për ujin vaditës e për një gardh, babë e bir i ngulin 8 herë thikën, policit
Një sherr mes dy familjeve ka degjeneruar këtë të enjte në përdorimin e armëve të ftohta në qytetin e Peshkopisë. Babë e bir goditën efektivin e policisë Bukurosh Zagradi para godnës së prefekturës Dibër në bulevardin “Elez Isufi”, teksa ai po hipte në makinën e tij.
Rexhep Muça dhe djali i tij dyshohet se e goditën efektivin 8 herë me thikë duke i shkaktuar plagë të rëndë. 55 vjeçari Bukurosh Zagradi u dërgua menjëherë në spitalin Rajonal të Peshkopisë ku i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Mjekët ende nuk kanë dhënë informacion mbi gjendjen e tij.
Burime nga policia e Dibrës bëjnë të ditur se shkak i ngjarjes së sotme dyshohet të jetë një konflikt i nisur 8 muaj më parë mes bashkëshorteve të Rexhep Muçës e Bukurosh Zagradit, për ujin vaditës dhe një gardh në fshatin e tyre Staravec të Njësisë Administrative Tomin.
Deri tani policia e Dibrës ka mundur të arrestojë Rexhep Muçën si autor të plagosjes së policit Bukurosh Zagradi, ndërsa ka shpallur në kërkim djalin e tij me inicialet A.Muça.