Shërbimi i Gjendjes Civile vetëm në qendër bashkie, jo më në Njësitë Administrative

Shërbimi i Gjendjes Civile vetëm në qendër bashkie, jo më në Njësitë Administrative

Zyrat e Shërbimit të Gjendjes Civile në Njësitë Administrative të të gjitha Bashkive në mbarë vendin janë mbyllur prej një jave. Mbyllja e këtyre zyrave ka ardhur me vendim qeverie, ndërsa është menduar riorganizim i ri këtij shërbimi. Kështu në Bashkinë e Matit do të ketë Zyrë të Gjendjes Civile vetëm pranë godinës së Bashkisë në qytetin e Burrelit, që do të ofrojë shërbim për të gjithë banorët e 8 njësive administrative. Po ashtu, kjo zyrë do të funksionojë me dy punonjës për të përballuar fluksin e qytetarëve që e kanë të domosdoshme marrjen e shërbimit nga afër. Në 7 njësitë e tjera administrative të Bashkisë Mat si Komsi, Lis, Baz, Ulëz, Derjan, Rukaj e Macukull nuk do të ketë më Zyrë të Gjendjes Civile, por i gjithë shërbimi zhvendoset pranë zyrës në Burrel dhe portalit e-albania. E njëjta situatë është edhe në Bashkinë e Klosit ku nga 4 zyra të Gjendjes Civile që ishin më parë do të jetë vetëm një, pranë godinës së Bashkisë Klos. Tre zyrat e tjera në Xibër, Gurrë e Suç do të mbyllen përfundimisht. Ndonëse është një numër i kufizuar shërbimesh që merren direkt në Zyrat e Gjendjes Civile, bashkimi i të gjitha njësive, pritet të shtojë fluksin pranë zyrave qendër, të cilat do të operojnë në vijimësi, pa shtim personeli.