Shembje shkëmbinjsh e dherash në aksin Burrel - Rrëshen, vështirësohet qarkullimi
Aksi nacional Burrel – Rrëshen është vështirë të qarkullohet me çdo lloj mjeti për shkak të probleme të shumta.
Veç amortizimit ndër vite të këtij aksi rrugor, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar shembje të shkëmbinjëve dhe rrëshqitje të dherave në disa segmente. Më problematike situata paraqitet pranë urës së Urakës ku një masiv shkëmbor ka rënë në mes të rrugës. Po ashtu, në këtë segment ka edhe shembje të skarpatës së rrugës duke e ngushtuar karrexhatën vetëm me një sens lëvizje.
Shirat e dy ditëve të fundit kanë krijuar probleme në rrugët e fshatrave ku ka patur shembje të tyre dhe bllokime si pasojë e rrëshqitjes së dherave.
Sipas prefektit të Qarkut Dibër që është edhe kryetar i Shtabit të Mbrojtjes Civile, Nexhbedin Shehu, situatë problematike mbetet me rrugët e brendshme të njësive Administrative Derjan, Ulëz, Komsi dhe Baz. Prurjet e rrëmbyeshme të përrenjëve kanë shkaktuar dëmtime të rrugëve apo mbushjen e tyre me dherave.
Ekipet e pushtetit vendor janë në terren për të rikthyer në normalitet lëvizjen e banorëve drejt zonave urbane. Ndërhyrja po bëhet në rrugët më emergjente që kanë qenë totalisht të bllokuara apo rrezikonin të bllokoheshin nga shembjet masive të dheut.