Shembje në rrugën Qafë Buall–Klos, dëmtohet aksi në Kloskatund
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëmtime në rrugën nacionale Qafë Buall–Klos, në segmentin që të çon drejt urës së fshatit Fshat. Problematika më e fundit është regjistruar në Kloskatund, ku vërshimi i ujërave të shiut ka shkaktuar shembjen e një pjese të anës së poshtme të rrugës.
Dëmtimi paraqitet i konsiderueshëm, ndërsa firma mirëmbajtëse ka vendosur shiritin e sinjalizimit për të paralajmëruar drejtuesit e automjeteve për rrezikun gjatë kalimit në këtë segment.
Kjo pjesë e rrugës në Kloskatund vijon të mbetet një nga pikat më problematike të aksit nacional Klos–Qafë Buall. Deformimet e trasesë janë përsëritur vazhdimisht, pavarësisht ndërhyrjeve të kryera ndër vite, ndërsa reshjet e fundit kanë rikthyer të njëjtat probleme.
Drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë segment, deri në marrjen e masave për riparimin dhe stabilizimin e rrugës.