Shembet skarpata e rrugës së Arbrit, rrezikohet bllokimi i qarkullimit
Rruga e Arbrit vijon të shfaqë probleme në shumë segmente. Aktualisht problematike mbetet situata në segmentin nga tuneli i Murrizit deri në afërsi të shkallës së Tujanit. Skarpata e betonit në afërsi të tunelit të Murrizit, ka pësuar çarje të mëdha. E gjithë struktura prej betoni ka pësuar çarje dhe shembje dhe rrezikon të bllokojë gjithë qarkullimin e automjeteve në rrugën e Arbrit. Shembja ka ndodhur në vendin e quajtur “Maricë” të Tiranës në një gjatësi lineare të konsiderueshme dhe për pak pritet të bllokojë qarkullimin e automjeteve në drejtim të Qarkut Dibër. E gjithë struktura e betonit ka pësuar çarje, ndërsa rrezikon të shembet shpati i malit si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut. Sipas specialistëve, shkak i kësaj shembje mund të jetë bërë mungesa e hapsirave kulluese të ujit në të gjithë pjesën e betonuar. Probleme me shembjen ka edhe në vendin e quajtur zall Dajt, ku një masiv i madh dheu i është drejtuar rrugës nacionale dhe nga momenti në moment mund të bjerë në asfalt.