Shembet skarpata e rrugës së Arbrit në Maricë
Rruga e Arbrit vijon të mos jetë e sigurtë për kalimin e automjeteve për shkak të problemeve të ndryshme që shfaqen herë pas here. Në fshatin Maricë të Tiranës në afërsi të hyrjes së tunelit të Murrizit, skarpata e rrugës pësoi shembje të konsiderueshme duke vënë në rrezik të gjithë drejtuesit e mjeteve që kalonin aty.
Masive dheu e gurësh përfunduan në asfalt, ndërsa firma u kujdes që t’i largonte shpejt, për të mos rënë në sy të kalimtarëve. Por dëmtimi i skarpatës mbetet i dukshëm, ndërsa rreziku për tu thelluar më tej vijon.
Në këtë pjesë të rrugës së Arbrit janë shpenzuar qindra milion lekë për shkak të shembjeve të vazhueshme që ka patur që me nisjen e punimeve. Pak vite më parë edhe pse traseja ishte përfunduar, pati shembje të shpatit të malit, ndërsa shteti akordoi të tjera para për firmën që të bënte të mundur largimin e dherave dhe hapjen e rrugës.
Por jo vetëm kaq, mbi vlerën e fondit fillestar të projektit vetëm për skarpatat tek Shkalla e Tujanit dhe ajo në fshatin Plan i Bardhë të Klosit, janë akorduar mbi 22 milion euro.