Shembet shkëmbi në rrugën nacionale Burrel - Klos, shpëton mrekullisht një familje

Shembet shkëmbi në rrugën nacionale Burrel  - Klos, shpëton mrekullisht një familje

Një masiv i madh shkëmbor ra në asfalt në vendin e quajtur "Shkëmbi kuq" në rrugën nacionale Burrel - Klos pasditen e kësaj të shtune.

Shkëmbi ra në rrugë teksa kishte qarkullim të madh automjetesh që lëviznin në drejtim të Burrelit dhe Klosit.

Për fat të mirë një familje ka shpëtuar mrekullisht teksa masivi u shemb thuajse njëkohësisht kur po kalonte në drejtim të Burrelit.

Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën efektivët e policisë rrugore që menaxhuan qarkullimin e automjeteve deri në mbërritjen e një mjeti tip fadromë të firmës mirëmbajtëse.

Për momentin është bërë hapja e aksit për qarkullimin normal të automjeteve ndërsa largimi i masivit shkëmbor pritet të bëhet nesër.

Aksi Burrel - Klos ka disa pika të rrezikshme për shembjen e shkëmbinjëve të tillë.

I njëjti formacion shkëmbor dhe i rrezikshëm është në Suç, tek "Përroi i Keçit", në fshatin Bërshi të Klosit dhe në afërsi të urës së fshatit Fshat.