Rekamë

Një pjesë e rrugës së fshatit Fshat në Bashkinë e Klosit është shembur ditët e fundit. Rruga ka pësuar çarje të madhe në një gjatësi të konsiderueshme. Për shumë automjete ajo është e pakalueshme, ndërsa rrezikojnë edhe mjetet e mëdha teksa kalojnë aty. Ndërkohë banorë të zonës fajësojnë mjetet që kanë transportuar materiale në rrugën e Arbrit, pasi kanë dëmtuar 90% të rrugës, jo vetëm duke i prishur asfaltin, por edhe duke mbyllur kanalet kulluese anësore. Në këtë mënyrë ujërat e shiut kanë vërshuar përmes rrugës. Hajredin Ymeri thotë se për shkak të dëmtimit të rrugës, ujërat e shiut kanë vërshuar në banesën e tij, ku sot ajo është e çarë pasi ka rrëshkitur bashkë me tokën.
Ymeri thotë se firma nuk mban asnjë përgjegjësi edhe pse sipas tij ajo ishte shkaktare e dëmit të shkaktuar. Ai shprehet se i është thënë nga përfaqësues të firmës që do të ndërtojnë thjeshtë një murë mbrojtës në rrugë, e asgjë më shumë.
Familjes Ymeri nuk i është dëmtuar vetëm banesa nga vërshimi i ujërave, por edhe stalla e bagëtive si dhe toka bujqësore.