Shembet masivi i gurëve në Shkopet
Reshjet e shiut të rëna gjatë gjithë natës dhe në orët e para të së premtes kanë krijuar probleme në aksin rrugor nacional Burrel – Skuraj.
Në segmentin e Shkopetit pati shembje të një masivi shkëmbor, i cili bllokoi njërin kah të lëvizjes së automjeteve nga Burreli në drejtim të Milotit, fatmirësisht pa dëme në njerëz e mjete.
Megjithatë lëvizja e automjete nuk u pengua, ndërsa firma mirëmbajtëse ndërhyri menjëherë duke bërë të mundur largimin e gurëve, duke bërë që qarkullimi i automjeteve të bëhet normalisht.
Segmenti i Shkopetit në rrugën nacionale Burrel – Skuraj vazhdimisht është problematik me rënien e gurëve apo masiveve shkëmbore, pasi në të gjithë gjatësinë e tij mungojnë rrjetat mbrojtëse apo pengesat e tjera për rënien e gurëve në rrugë.
Reshjet intensive të shiut përfshinë gjithë Qarkun e Dibrës mbrëmjen e së enjtes dhe orët e para të së premtes, por nuk janë raportuar probleme në rrugët nacionale apo rurale të katër bashkive të këtij qarku.