
Megjithëse ka ende kohë për sezonin e vaditjes, sipas Prefektit të Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, pushteti vendor ka nisur punën për bërjen gati të veprave vaditëse në të katër bashkitë e këtij qarku. Shehu tha se për sistemin vaditës qeveria ka akorduar 4 bashkive një fond prej afro 32 milion lekë të rinj me të cilat duhet të bëjnë gati veprat vaditëse në mënyrë që fermerët të kenë ujin vaditës në kohë për të mbjellat e tyre.
Nga ana tjetër, prefekti Nexhbedin Shehu tha se po bëhen përpjekje për rikthimin e një ndër veprave më të mëdha vaditëse në Bashkinë Dibër, siç është kanali i Bllacës. Për këtë Shehu shtoi se vazhdimisht i është kërkuar qeverisë financim për rivënien në funksion të plotë të kësaj vepre vaditëse për një sipërfaqe prej 4 mijë hektar tokë bujqesore.