Megjithëse Qarku Dibër ende mbetet në vendin e fundit sa i përket numrit të të infektuarve aktiv me Covid-19 në rang vendi, prefekti i këtij Qarku Nexhbedin Shehu ju kërkon qytetarëve që të zbatojnë masat mbrojtëse. Shehu iu kërkon qytetarëve të Qarkut Dibër që në ditët e festës së fundvitit, të mos krijojnë grumbullime të panevojshme, por të ruajnë distancën.
Aktualisht numri i të infektuarve aktiv me sarscov2 në Qarkun Dibër është mbi 400 persona. Ndërkohë që mjekët epidemiolog vijojnë gjurmimin e kontakteve të të infektuarve si dhe të personave të tjerë që kanë shfaqur shenjat e koronavirusit. Në Qarkun Dibër ende nuk është aplikuar testimi i shpejtë, ndërsa tamponet merren dhe analizohen në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë.