Sërish hidhen mbetje inertesh në rrugën nacionale Klos-Burrel

Sërish hidhen mbetje inertesh në rrugën nacionale Klos-Burrel

Rruga nacionale Klos – Burrel po vijon të ndotet nga hedhja e mbeturinave pa krieter, kryesisht atyre të ndërtimit.
Problematike situata paraqitet në fshatin Bërshi ku anash rrugës nacionale, vijon të hidhen inerte të dala nga punime të ndryshme që po bëhen në territorin e Bashkisë Klos.
Hedhja e inerteve këtu është rruga më e shkutër për ata individ apo biznese që po bëjnë punime në objekte të ndryshme. Por kjo shkakton jo vetëm një imazh të keq për të gjithë përdoruesit e rrugës, por edhe një ndotje të madhe, pasi mbetjet nuk janë vetëm inerte, mes tyre ka edhe plastikë.

Ndonëse vendimi i ministrisë së mjedisit është që të paktën në sezonin turistik rrugët nacionale të mbahen të pastra kjo për të mos dhënë një impakt negativ tek turistët, situata në këtë aks apo edhe në atë të Bulqizës, mbetet problematike.
Jo vetëm që mbetjet e bëra publike muaj më parë nuk janë hequr nga autoritetet nga rruga nacionale, ato po shtohen çdo ditë. Pak nga pak kjo zonë po kthehet në një pikë të depozitimit të mbetjeve inerte, ndonëse është ngjitur me rrugën nacionale e pak metra larg lumit të Matit.