Sektori minerar po përballet me vështirësi të mëdha në tregun e shitjes. Kjo ka sjellë që shumë subjekte minerare në zonën e Bulqizës, të ndërpresin punën e prodhimit të mineralit, duke lënë dhjetra e qindra minator të papunë. Por ka edhe nga ata subjekte që vijojnë punën, por ju kanë kërkuar minatorëve të punojnë me gjysmën e pagës, me premtimin që pjesën tjetër, do tjua japin kur të rritet çmimi i kromit dhe të nisin shitjen.

I tillë është edhe rasti i minatorit Seldi Sula. Ai është nisur pas pushimeve të vitit të ri dhe ka shkuar në punë, por atje është përballur me kërkesën e çuditshme të punëdhënësit që i ka kërkuar të punojë me 30 mijë lekë të rinj. për Seldi Sulën kjo është e pamundur pasi jo vetëm nuk ka besim që do t’i jepet pjesa tjetër e rrogës, por 30 mijë lekë i shkojnë shpenzime vajtje e ardhje nga Martaneshi në Klos.

Raste të ngjashme ka edhe në subjekte të tjera minerare të cilat nuk kanë shitur prodhimin, duke patur vështirësi për pagesën e punëtorëve.