Segmenti i rrezikshëm i rrugës nacionale Bulqizë – Peshkopi, barrierat anësore të dëmtuara nga automjetet
Segmenti më i rrezikshëm i rrugës nacionale Bulqizë – Peshkopi mbetet ai në fshatin Vajkal. Zona e njohur, nga Ura e Vocit deri tek monumenti i Skënderbeut, është më problematikja duke u konsideruar si pika e zezë e kësaj rruge.
Në këtë segment, që është jo më shumë se 1 kilometër, janë regjistuar me dhjetra aksidente ku fatkeqësisht ka patur edhe humbje në jetë njerëzore.
Por faktin e këtyre aksidenteve e tregojnë edhe barrierat metalike anësore të cilat janë dëmtuar si pasojë e përplasjeve të automjeteve në to.
Vazhdimisht në këtë segment rrugor ngrihen pika kontrolli nga policia rrugore, por situata vijon të mbetet shqetësuese. Ekspertët rrugorë e lidhin me mungesën e mjaftueshme të sinjalistikës rrugore, por edhe me pakujdesinë e drejtuesve të automjeteve, të cilët qarkullojnë jashtë normave të lejuara.
E teksa aksidentet vijojnë të ndodhin, edhe barrierat anësore mbeten po të dëmtuara në të njëjtën gjendje, pasi nuk janë rikthyer në gjendjen e mëparshme nga ana e kompanisë mirëmbajtëse.
Në këtë gjendje tashmë ato nuk mund të mbrojnë automjetet pasi janë jashtë standarteve të kërkuara.