Samuel Nikaj rikthehet tek Burreli? Klubi: jemi pranë marrëveshjes

Samuel Nikaj rikthehet tek Burreli? Klubi: jemi pranë marrëveshjes
Trajneri Ditmar Bicaj, i cili drejtoi ekipin e futbollit “Burreli” në sezonin e kaluar, është shkëputur përfundimisht nga ekipi matjan. Pas mbylljes së kontratës me Bicajn, Klubi i futbollit “Burreli” është hedhur në kërkim të një trajneri të ri. Drejtues të KF Burreli thanë për Mat Televizion se ende nuk ka asgjë zyrtare ndonëse është rënë dakord paraprakisht për teknikun Samuel Nikaj. Brenda pak ditësh pritet të bëhet nënshkrimi i kontratës dhe Nikaj të nisë punën për ndërtimin e skuadrës që do të përfaqësojë Burrelin në sezonin 2025 – 2026. Samuel Nikaj rikthehet në futbollin shqiptar pas aventurës 1-vjeçare në futbollin kosovar, ku drejtoi skuadrën e Prizrenit. 47-vjeçari ka një përvojë të pasur në ngjitjen e ekipeve një kategori më lart, teksa sukseset nuk i kanë munguar me skuadra si Flamurtari i Prishtinës, Vushtria, Kastrioti, Pogradeci dhe Prizreni së fundmi. Tashmë me afrimin e Samuel Nikajt në pankinë, Burreli në ditët në vijim pritet të shpallë edhe synimet që ka për sezonin e ri. Vlen të theksohet fakti se Nikaj e drejtoi Burrelin edhe në sezonin 2021-2022, ku matjanët ishin ndër skuadrat pretendente që synuan ngjitjen në elitë, por pa ia dalë. Ndërkohë nga radhët e futbollistëve, i vetmi lojtar i larguar deri tani nga skuadra matjane është Florenc Farruku i cili ka nisur karrierën në tij në superligë ku aderon me skuadrën e Dinamos.