Opinion nga Klodian Tomorri
Studentët e dy universiteteve private në Shqipëri morën ditët e fundit, thuajse në mënyrë të koordinuar një këshillë se si të jenë të suksesshëm në biznes. Këshilla ishte: E para, provoni të bëheni sipërmarrës, e dyta provoni të bëheni sipërmarrës dhe e treta provoni të bëheni sipërmarrës. Kurse këshilltari ishte Samir Mane, biznesmeni i dyte me i fuqishëm në vend.
Unë njoh një mik që nuk e ka eksperiencën e zotit Mane ne biznes. Por këshilla e tij me duket me interesante; Bëhu i afërt me qeverinë.Nëse arrin të kesh ndikim në qeveri, atëherë rrugët e suksesit janë të pafundme.
Së pari, mund të fitosh miliona euro duke mbledhur borxhet që ka shtetit. Ndërton disa kompani për mbledhjen e borxheve. Pastaj ndikon qeverinë që t’i shlyeje borxhet përmes kompanive të tua. A mund të ndodh kjo? Sigurisht.
Në vitin 2010, qeveria shqiptare urdhëroi kompanitë ujësjellësave që të shlyenin borxhet e tyre ndaj CEZ, kompanisë në atë kohë private të shpërndarjes së energjisë. Por borxhet nuk u shlyen direkt nga ujësjellësit tek CEZ, por kaluan përmes kompanive private të mbledhjes së borxheve. Për çdo 1 milionë euro borxhe që ujësjellësi i paguante CEZ, kompanitë ndërmjetëse merrnin deri ne 500 mije euro, pra gjysmën. Dhe ishin dhjetëra milionë euro borxhe që u shlyen.
Së dyti, shënjestro një sektor strategjik, fjala vjen si minierat. Nëse aty është sakaq një kompani private, prit se do të vijë momenti. Një ditë privati mund të largohet. Pastaj ti e ble kompaninë për 30 milionë euro, por ndërkohë nuk paguan asnjë lekë nga xhepi yt. Ato 30 milionë euro janë tvsh e parimbursuar që investitori shitës kishte për të marr në shtet. Ai nuk i merrte dot, por ti mund t’i marrësh falë lidhjeve që ke në qeveri. Kështu që shtie në dorë një aset strategjik pa paguar asnjë cent.
Së treti, t’i mund të diktosh rregullat e lojës. Mund të ulesh pragun e xhiros duke futur bizneset e vogla në tvsh. Kështu tregu pastrohet nga konkurrenca. Dyqanet e vogla shfarosen dhe i gjithë tregu është për qendrat tregtare.