Rekamë

Ruhet kuota e liqenit të Ulzës për shtimin natyral të peshkut. Ulja e nivelit të ujit gjatë fazës së shtimit natyral të peshkut në liqenin e Ulzës ka qenë shqetësimi i vetëm që kanë ngritur grupet e peshkatarëve. Nëse nga periudha 25 Prill deri në fund të muajit Korrik, niveli i ujit bie ndjeshëm në basenin e liqenit të Ulzës, dëmi në ekonominë ujore është shumë i madh.

Specialistët thonë se në këtë periudhë peshku Krap bën të mundur hedhjen e vezëve. Kjo realizohet në skaje të liqenit, kryesisht ku ka bimësi.

Ndërkohë, pjesa më kryesore për hedhjen e vezëve nga peshku Krap është ajo e Rrethebazit dhe Urakës. Duke qenë se kjo zonë është e mbuluar totalisht me bimësi, peshku e shfrytëzon për të lënë vezët. Në rast se bie niveli i ujit atëherë vezët mbeten në të thatë dhe dëmtohen.

Periudha e shtimit natyral të peshkut në basenet ujore Ulëz e Shkopet përkon edhe me atë të ndalimit të gjuetisë. Në këtë periudhë deri në fund të muajit Korrik gjuetia me çdo lloj forme është totalisht e ndaluar.

Përveç dëmit në ekonominë ujore, shfrytëzimi i shpejtë i liqenit të Ulzës dëmton edhe turizmin, pasi Ulza mbetet ndër vendet më të vizitueshme në Mat, kryesisht gjatë muajve të verës për shkak edhe të liqenit.