Nisur nga numri i aksidenteve të ndodhura me pasojë vdekjen ditët e fundit në vendin tonë, policia rrugore ka shtuar kontrollet në akset kryesore. Blutë e dibrës janë stacionuar në disa pika ku kanë ndëshkuar shoferët problematik. Kontrollet kanë qenë intensive në të gjithë qarkun duke përdorur dronët, dragerat, kamerat dhe makinat e pauniformuara, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që bëhen rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë pezulluar 17 leje drejtimi, nga të cilat 7 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 10 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, nga të cilët 1 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë ndëshkuar për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 18 drejtues, 183 drejtues mjetesh për parakalime të gabura, 83 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 29 drejtues janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Policia e Rrugore e Dibrës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Dritan Kurti