Rruga Xibër Hane – Ketë vijon të jetë e amortizuar
Rruga që lidh fshatrat Xibër Hane e Ketë me rrugën e Arbrit në Bashkinë e Klosit vijon të jetë e amortizuar. Prej shumë kohësh në këtë aks rrugor, i cili dikur ishte rruga kryesore e gjithë Njësisë Administrative Xibër, nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Riparimi i fundit është bërë rreth 3 vite më parë, ku është shtruar me zhavor dhe ngjeshur me rrul. Por banorët dhe drejtuesit e mjeteve ankohen se rruga nuk ka mirëmbajtje. Sipas tyre, në gjithë këto kohë në këtë segment rrugor nuk është ndërhyrë, ku shirat e mëdha kanë gërryer trasenë, e cila tashmë është kthyer si një rrugë prej kalldrëmi. Automjetet e vogla e kanë shumë të vështirë kalimin në këtë segment rrugor, ndërsa shumë prej banorëve detyrohen t’i lënë mjetet në qendër të Njësisë Administrative. Ata kërkojnë që rruga të paktën të shtrohet me zhavorr dhe punëtori i mirëmbajtjes të dalë vazhdimisht për pastrimin e kanaleve anësore dhe mbushjen e gropave. Bashkia e Klosit gjatë dëgjesave publike për buxhetin ka deklaruar se ka një projekt për asfaltimin e kësaj rruge që lidh fshatrat Xibër Hane e Ketë me rrugën e Arbrit. Por deri tani nuk ka deklaruar një afat se kur mund të investohet.