Rruga Urakë - Rrëshen me probleme, firma rindërton veprat e artit

Rruga Urakë - Rrëshen me probleme, firma rindërton veprat e artit

I braktisur që nga ndërtimi i tij edhe segmenti nga Uraka në Rrëshen i rrugës nacionale Shoshaj – Rrëshen është në gjendje të degraduar. Kalimi në këtë segment rruge është i vështirë për disa lloje automjetesh për shkak të gropave dhe deformimeve të mëdha që ka pësuar rruga e lënë pa mirëmbajtje prej më shumë se një dekade. Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka përfshirë këtë rrugë në inventarin e saj duke e bashkuar në një kontratë të vetme bashkë me dy rrugë të tjera Qaf Buall – Krastë dhe Ura e Ulzës – Ulëz.

Drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Rrëshen – Burrel ankohen për gjendjen e degraduar të aksit, teksa thonë se paguajnë të gjitha detriment e automjetit ndaj shtetit. Ata kërkojnë që rruga të rehabilitohet e gjitha pasi me mbushjen e gropave me zhavor nuk zgjidhet problemi.

Nga ana tjetër firma e cila e ka fituar kontratën e mirëmbajtjes aktualisht është fokusuar në rindërtimin apo riparimin e veprave të artit që kanë qenë në rrezik shembje.

Pas riparimit të dy urave, njëra në Sukbull dhe tjetra në kufirin ndarës mes dy bashkive në Urakë, puna është përqendruar në ndërtimin e një muri mbrojtës në Perlat dhe urës tek vendi i quajtur “Pishat”.