Rekamë

Problemi i vetëm i aksit kombëtar Skuraj  – Burrel nuk është vetëm dëmtimi i asfaltit apo deformimet që ka pësuar në disa segmente.

Një tjetër problematikë po aq shqetësuese, me të cilën përballen çdo ditë përdoruesit e kësaj rruge, është edhe sinjalistika. Thuajse e gjithë rruga ka nevojë për sinjalistikë horizontale e vertikale. Deri në vendin e quajtur Ura e Ulzës ka sinjalistikë horizontale ku duken vijat e bardha të ndarjes së karrexhatës. Por problem mbetet ajo vertikale e cila është shumë e domosdoshme gjatë natës.

Nga vëzhgimi i bërë me kameran tonë nga Skuraj në Burrel ka mungesë të theksuar të sinjaleve fosforeshente që tregojnë kufinjtë e karrexhatës. Mungesa e kësaj sinjalistike është shqetësuese gjatë natës pasi drejtuesit e mjeteve duhet të qarkullojnë me shpejtësi shumë të reduktuar në mënyrë që të mos rrezikojnë rënien në liqenin e Shkopetit.

Ndërkohë, nga Ura e Ulzës deri në Burrel, ka mungesë të theksuar të vijave të bardha, pasi prej shumë vitesh nuk është bërë vijëzimi.

Vetëm pak vite më parë në këtë aks rrugor janë investuar 2 milion euro për sigurinë rrugore, ndërsa ende ka nevojë për barriera metalike anësore dhe për sinjalistikë vertikale në të gjithë aksin kombëtar prej 36 kilometrash.