Rruga skandaloze që përballen të gjithë ata që hyjnë nga Maqedonia e Veriut në doganën e Bllatës në Dibër
Jo vetëm shtetasit e Maqedonisë së Veriut por edhe çdo vizitor tjetër që përdor doganën e Bllatës për të hyrë në vendin tonë përballet direkt me një pamje të shëmtuar të rrugës që nis pikërisht aty ku është vendosur tabela “Republika e Shqipërisë”. Deri tek kjo tabelë rruga në shtetin fqinj është shumë e mirë, ndërsa pamja më pas drejt doganës tonë është sa trishtuese aq edhe e turpshme. Janë jo më shumë se 300 m metra linear rrugë e cila është në gjendje të degraduar dhe përgjegjësi e shtetit shqiptar. Drejtuesit e automjeteve që lëvizin në drejtim të Shqipërisë thonë se kjo pamje me të cilën përballet kushdo që hyn në shtetin tonë nëpërmjet pikës doganore të Bllatës është një turp i madh, ndërsa problem është edhe për automjetet për shkak të gropave të shumta që ka në të gjithë rrugën. Bëhet fjalë për zonën neutrale mes dy pikave doganore që ndahet përgjysmë mes dy shteteve.
Me ndërtimin e rrugës së Abrit kjo pikë doganore është kthyer në një arterie të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që duan të vizitojnë vendin tonë, por edhe turistëve të shumtë që vijnë nga shtete të tjera si Bullgaria.