Rruga Shoshaj – Urakë vazhdon të degradohet, asnjë ndërhyrje nga qeveria

0
4

Aksi rrugor Shoshaj – Urakë pjesë e rrugës Burrel – Rrëshen vijon të mbetet problematik për të gjithë drejtuesit e mjeteve. Në gjendje të tillë kjo rrugë është prej vitesh pasi që nga rehabilitimi i saj i plotë në vitin 2014, nuk është investuar më në të, ku të paktën gropat të mbushen me asfalt.
Historia e kësaj rruge tashmë dihet pasi Mat Televizion e ka trajtuar disa herë si problematikë. Për shkak se rruga u dëmtua shumë shpejt pas ndërtimit të saj, askush nuk e inventarizoi e megjithatë, ajo dikur ishte pjesë e inventarit të rrugëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ky i fundit vijon të shmangë përgjegjësinë e këtij aksi duke e lënë atë në mëshirë të fatit.
Kjo ishte e vetmja rrugë në Qarkun Dibër ku pas reformës Administrative Territoriale të vitit 2015, nuk ju dorëzua pushtetit vendor, pasi është pjesë e një aksi nacional e si i tillë duhet të mirëmbahet nga ARRSH ashtu siç bën me rrugët Burrel – Komsi e Lapidari Zenisht – Lis.
Gjendja e rrugës flet vetë, megjithëse gropat në disa raste mbushen me zhavor apo dhe, situata rikthehet sapo të ketë reshje shirash. Në këtë aks rrugor nuk kalojnë vetëm banorët e disa administrative të Bashkisë së Matit, por i gjithë Qarku Dibër i cili kalon nga Rrësheni në drejtim të veriut.