RRUGA NACIONALE URA E ÇERENECIT-URA E TOPOJANIT, DREJT DEGRADIMIT

0
74

  Rruga nacionale nga ura e Çerenecit – Ura e Topojanit, që përfshin fshatrat e njësisë Shupenzë, në Bashkinë Bulqizë, po shkon drej degradimit. Ky segment rrugor, sa herë të ketë reshje shiu, dëmtohet duke shfaqur gropa të shumta. Edhe pse firma mirëmbajtëse ndërhyn herë pas here për mbushjen e gropave me asfalt apo zhavor, problematika rikthehet sërish, duke e bërë këtë aks të rrezikshëm për qarkullim.

Tjetër problem i kësaj rruge është vërshimi i ujërave të zeza e të bardha në karrexhatë, duke u bërë problem për banorët e lagjes që përshkon aksi. Një nga banorët e zonës, thotë se ka më shumë se 12 muaj që uji vërshon kështu në rrugë, duke fajësuar firmën mirëmbajtëse për mosndërhyrje. Por kjo e fundit fajin e hedh tek njëra nga familjet që përshkon ky aks, që sipas saj ka bllokuar rrjetin e kanalizimit.

Sipas banorëve, përzierja e ujit të vaditjes me ujërat e zeza po ndot mjedisin dhe po dëmton prodhimet bujqësore në zonë. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të qëndrueshme për këtë segment rrugor që është jetik për lëvizjen dhe ekonominë e tyre.