RRUGA NACIONALE NË SHUPENZË, DREJT DEGRADIMIT

RRUGA NACIONALE NË SHUPENZË, DREJT DEGRADIMIT
Rruga nacionale nga ura e Çerenecit deri tek rrethrrotullimi i vjetër i Maqellarës, që përfshin fshatrat e Njësisë Shupenzë, në Bashkinë Bulqizë, po shkon drej degradimit. Ky segment rrugor, sa herë të ketë reshje shiu, dëmtohet duke shfaqur gropa të shumta. Edhe pse firma mirëmbajtëse ndërhyn herë pas here për mbushjen e gropave me zhavor, problematika rikthehet sërish, duke e bërë këtë aks të rrezikshëm për qarkullim. Me ndërtimin e rrugës së Arbrit, ky segment rruge nga Ura e Çerenecit deri tek rrethrrotullimi i vjetër i Maqellarës ka mbetur jashtë vëmendjes. Drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo rrugë çdo ditë po degradohet dhe askush nuk po merr masa për rehabilitimin e saj. Komplet segmenti i kësaj rruge është me gropa, gjë që bëhen edhe më të rrezikshme kur mbushen me ujë nga reshjet e shiut. Në mungesë të kanaleve kulluese, uji vërshon mbi rrugë duke e përkeqësuar akoma më shumë gjendjen e saj. Jo vetëm drejtuesit e mjeteve, por edhe banorë të zonës thonë se prej 33 vitesh mungon investimi në këtë rrugë. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të qëndrueshme për këtë segment rrugor nacional që është jetik për lëvizjen dhe ekonominë e tyre.