Rruga nacionale Burrel - Skuraj në rrezik, pëson çarje në Bushkash
Problemet me rrugën nacionale Burrel – Skuraj që lidh verilindjen me veriun dhe veriperëndimin e vendit nuk kanë të sosur. Pos problemeve të vazhdueshme që ka me praninë e gropave, deformimin e trasesë, urat e pasigurta, sëfundmi ka pësuar një çarje të konsiderueshme.
Dëmtimi ka ardhur pas reshjeve të fundit të shirave ku në afërsi të urës së Bushkashit mbi zallin e “Trajës” ka pësuar një çarje të konsiderueshme si pasojë e shembjes së trupit të rrugës.
Siç duket nga pamjet, çarja sa vjen e zgjerohet duke rrezikuar që brenda pak kohësh të shembet e gjitha dhe të bllokojë totalisht qarkullimin e automjeteve në drejtim të Milotit apo Burrelit.
Prej shumë vitesh gjendja e kësaj rruge prej vetëm 36 kilometrash nga Burreli në Skuraj është në gjendje skandaloze për të gjithë ata që lëvizin drejt veriut dhe veri-perëndimit të vendit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar lëvron çdo vit qindra milion lekë për mirëmbajtje rutinë, ndërsa ende nuk ka një projekt për rehabilitim të plotë, ashtu siç e konsiderojnë ekspertët si një domosdoshmëri për të mos harxhuar më para thjeshtë për mirëmbajtje rutinë. Një tjetër problem madhor në këtë rrugë mbeten edhe urat të ndërtuara rreth 70 vite më parë dhe që ju ka kaluar prej 2 dekadash afati i garancisë.