Rruga lidhëse e arbrit. Fshat, banorët: çdo ditë regjistrohen nga dy deri në tre aksidente
Segmenti rrugor që lidh zonën e Matit me Rruga e Arbrit, nga ura e fshatit Fshat deri te rrethrrotullimi në hyrje të kësaj rruge, vijon të mbetet një pikë problematike dhe me rrezik të lartë për aksidente. Sipas banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, pothuajse çdo ditë regjistrohen nga dy deri në tre aksidente, ku automjetet humbasin kontrollin dhe përfundojnë jashtë rruge. Vetëm gjatë ditëve të fundit, disa mjete kanë dalë nga rruga, ndërsa situata përkeqësohet ndjeshëm gjatë reshjeve të shiut, kur asfalti bëhet tepër i rrëshqitshëm. Banorët shprehen se kjo situatë vjen si pasojë e punimeve jo sipas standardeve dhe cilësisë së dobët të asfaltit. Ata theksojnë se rreziku është i përhershëm, pasi në shumë raste makinat kanë përfunduar në oborret e banesave përgjatë këtij segmenti rrugor, duke rrezikuar jetën e familjarëve. Të shqetësuar për sigurinë e tyre, banorët i bëjnë apel firmës ndërtuese “Gjoka Konstruksion” që ka realizuar punimet në këtë aks, të ndërhyjë sa më parë për riparimin e asfaltit, vendosjen e mbrojtëseve metalike anësore dhe përmirësimin e sinjalistikës rrugore. “Jemi në rrezik çdo moment. Makinat po na përfundojnë në oborret e shtëpive. Kërkojmë masa urgjente para se të ndodhë një tragjedi,” – shprehen banorët e zonës. Banorët kërkojnë gjithashtu ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar cilësinë e punimeve dhe për të garantuar sigurinë në këtë segment të rëndësishëm lidhës, ku çdo ditë qarkullojnë dhjetëra automjete.