Rekamë

Kjo është rruga që lidh Mirditën dhe Matin me Lurën e Dibrës. Prej dy vitesh po punohet për “Rikonstruksion, asfaltim dhe përmirësimin e rrugës Perlat – Fushë Lurë”. Megjithëse janë bërë shumë volume punimesh, përfundimi i këtij investimi duket ende shumë larg.

Deri tani janë ndërtuar disa nga veprat e artit, por ka ende të tjera që po punohet. Megjithëse në tabelën e vendosur në hyrje të rrugës së Lurës thuhet se afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj kalendarik, në realitet nuk rezulton kështu.

Punimet për këtë vepër shumë të rëndësishme jo vetëm për Lurën por edhe për shumë fshatra të Mirditës apo dhe Matit, kanë nisur në qershor të vitit 2022, që praktikisht duhej të kishin përfunduar, ose të paktën të ishin drejt përfundimit.

Nga vëzhgimi i bërë në një pjesë të kësaj rruge drejt Kurbneshit, vihet re se nuk ka asnjë metër rrugë të asfaltuar, ndërsa banorët hezitojnë të flasin para kameras. Jashtë saj, banorët shprehen se me këtë ritëm punimesh nuk kanë asnjë shpresë që kjo rrugë e cila do t’i afronte më shumë me qytetet, do të përfundojë brenda këtij viti e jo më brenda afatit të përcaktuar në kontratë.

Fondi prej afro 12.6 milion euro për këtë vepër, që do t’i shërbente shumë zhvillimit të turizmit në Lurë, është një donacion i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i përfshirë nga qeveria shqiptare në Programin për Zhvillimin e Infrastrukturës dhe Turizmit në Shqipëri.