Rruga e Krastës, mbetet “rrugëve”

Rruga e Krastës, mbetet “rrugëve”

Duhej të kishte përfunduar për 18 muaj, por përfundimi i punimeve në aksin rrugor Qaf Buall – Martanesh, duket ende shumë larg. Investimi i qeverisë shqiptare nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar nisi që në vitin 2023, por punimet po ecin me ritme shumë të ngadalta. Bashkimi i kompanive fituese “BE - IS SH.P.K - VELLEZERIT HYSA - ERGI”, nuk kanë mundur ta përfundojnë në kohë sipas kontratës këtë investim duke lënë qindra e mijëra banorë të Martaneshit e subjektet minerare që ushtrojnë aktivitetin e tyre atje, në pritje. Afati por dorëzimin e objektit është shtyrë disa herë me kërkesë të firmave zbatuese të projektit, ndërsa nuk dihet nëse ka kaluar edhe afati i fundit pasi ligji lejon maksimumi deri në dy herë shtyrjen e afatit për përfundimin e punimeve. Në kantierin e ndërtimit që nis nga Qafa e Buallit deri në Krastë mungon tashmë edhe tabela informuese e investimit e cila është e dëmtuar dhe e shkatërruar për shkak se është vendosur tre vite më parë. Banorët e Martaneshit kërkojnë që ky investim të mbyllet dhe problematika me këtë rrugë e cila edhe sot është e pasigurtë për kalimin e automjeteve të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Vlera e këtij investimi është në shifrën e 11 milion eurove dhe projekti përfshin sistemimin dhe asfaltimin e aksit prej 16 kilometrash.