Rruga e fshatrave Xibër Hane e Ketë, gati e pakalueshme
Rruga kryesore që lidh fshatrat Xibër Hane e Ketë me rrugën e Arbrit në Bashkinë e Klosit është degraduar shumë keq ditët e fundit. Në segmentin nga “Vanari” deri në Xibër – Hane rruga është tejet e vështirë për atuomjetet e vogëla për shkak të gërryerjes që ka pësuar prej kohësh. Në këtë rrugë për herë të fundit është ndërhyrë afro 3 vite më parë nga ana e një kompanie që ka ndërtuar një HEC në Ketë. Por pas kësaj ndërhyrje ajo u degradua si pasojë edhe e mungesës së kanaleve kulluese anësore të cilat nuk u mbajtur funksionale. Banorët dhe drejtuesit e automjeteve shprehen se gjendja e rrugës ka degraduar dhe me nisjen e reshjeve të shiut mund të bëhet e pakalueshme. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve thanë se jo vetëm kjo rrugë por edhe rrugët e brendshme të fshatrave Xibër Hane e Ketë janë thuajse të pakalueshme, sidomos pas reshjeve të fundit të shiut.
Për këtë rrugë është dorëzuar një projekt për asfaltim, por deri tani nuk është miratuar, ndërsa banorët kërkojnë që të paktën të shtrohet me zhavor.