
Banorët e fshatit Valikardh në Njësinë Administrative Zerqan në Bulqizë po përballen me probleme të infrastrukturës rrugore. Ata shprehen se bashkia nuk është parë të ndërhyjë në rrugën e tyre prej shumë kohësh, duke i lënë në mëshirë të fatit. Zabit Toska thotë se gjatë ditëve të dimrit, rruga bëhet gati e pakalueshme. Po ashtu, një urë të cilën e kanë ndërtuar vetë banorët e fshatit rrezikon të shembet. Mes të tjerash, banorët kërkojnë edhe shërbim për grumbullimin dhe tërheqjen e mbeturinave të konsumit të përditshëm në mënyrë që të mos ndotet përroi aty pranë.
Gjithashtu banorët thonë se probleme kanë edhe me ujin e pijshëm e atë vaditës gjatë verës. Ata kërkojnë që Bashkia Bulqizë të kthejë sytë edhe nga fshati i tyre pasi në gjithë këto vite, aty është shkuar vetëm për të kërkuar votat.