Rruga e fshatit Unjate gati e pakalueshme, banorët kërkojnë ndërhyrje
Banorët e lagjes “Ftu” në fshatin Unjate të Bashkisë së Klosit kanë zhvilluar një protestë në lidhje me gjendjen e degraduar të rrugës së tyre. Sipas banorëve, në këtë rrugë nuk po ndërhyhet prej shumë vitesh teksa ajo është bërë gati e pakalueshme.
Banorët deklarojnë se çdo ditë ngecin mjete në këtë rrugë. Fakti që lagjja “Ftu” ndodhet mes Unjate dhe Mishtër, banorët thonë se nuk e zgjidh aspak problemin pasi rruga është e pakalueshme në të dyja anët.
Nga ana tjetër, banorët e fshatit Unjate shprehen se prej vitesh por mbahen me premtime boshe vetëm në fushata elektorale, por pasi mbarojnë zgjedhjet askush nuk duket më në fshat nga pushteti vendor i Klosit apo pushteti qendror. Ata kërkojnë që rruga e fshatit Unjate të bëhet e kalueshme në çdo stinë të vitit, sepse po e vuajnë dhe është bërë pengesë për zhvillimin e zonës.
Situata bëhet kritike në stinët me shi teksa banorët e Unjateut janë të detyruar t’i kalojnë fëmijët mbi shpinë për shkak të një përroi që fryhet. Edhe pse aty prej afro një viti janë dërguar disa tombino, ato nuk janë vendosur në vendin e duhur duke dalë jashtë funksionit.