Rruga e fshatit Fshat, rrugë e aksidenteve të përditshme

Rruga e fshatit Fshat, rrugë e aksidenteve të përditshme

Që prej ndërtimit të saj disa vite më parë kur nisi ndërtimi i rrugës së Arbrit, rruga e fshatit Fshat është ndër rrugët me më shumë aksidente. Që nga rreth-rrotullimi në rrugën e Arbrit e deri tek ura e Fshatit, në këtë aks rrugor janë shkaktuar me dhjetra aksidente.

Për fat të mirë, aksidentet deri tani kanë qenë pa humbje jete njerëzore, por janë bërë makthi i banorëve të zonës. Edhe mbrëmjen e kaluar një automjet që lëvizte në drejtim të Klosit doli nga rruga vetëm pak metra larg rreth-rrotullimit, duke u përplasur me gurët e vendosur nga një familje poshtë rrugës. Aksidenti pati dëme të mëdha materiale e për fat të mirë nuk pati dëme në njerëz.

Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve shprehen se në ditët me shi, kjo rrugë është shumë e rrezikshme pasi shumë makina rrëshqasin në disa vende që nga ura e Fshatit e deri në hyrje të rrugës së Arbrit. Drejtuesit e automjeteve për këtë ia lënë fajin cilësisë së dobët të asfaltit. Ata kërkojnë të merren masa menjëherë nga autoritetet që të shmangen tragjedi të mundshme nga aksidentimi i makinave.

Ky segment rrugor nga rreth-rrotullimi në rrugën e Arbrit e deri tek ura e Fshatit është tejet problematik për të gjithë ata qytetarë që lëvizin në drejtim të Matit dhe Tiranës nëpërmjet rrugës së Arbrit.