Rruga e fshatit Fshat, rrezik i madh për banorët, aksidente thuajse çdo ditë

Rruga e fshatit Fshat, rrezik i madh për banorët, aksidente thuajse çdo ditë

Rruga e fshatit Fshat në Bashkinë e Klosit, e cila u rindërtua pak vite më parë si rruga hyrëse e krahinës së Matit në rrugën e Arbrit, përbën një rrezik i madh për të gjithë banorët që jetojnë përgjatë saj. Sipas banorëve në këtë rrugë ka segmente ku ka kundravajtje thuajse çdo ditë, ndërsa më keq situata është gjatë ditëve me reshje shiu apo dëbore. Automjetet përplasen thuajse në të gjithë rrugën e kjo mund të ketë të bëjë me cilësinë e asfaltit. Megjithatë, banorët ndjehen të rrezikuar jo vetëm për aksidentet që shkaktohen në çdo kohë, por edhe për faktin se nuk ka hapsirë të mjaftueshme për të kaluar këmbësorët apo kafshët shtëpiake. Një nga banorët e fshatit Fshat, Xhemal Hidri, shprehet se të gjithë ndihen të rrezikuar në këtë rrugë, pasi automjetet që aksidentohen përfundojnë në muret rrethuese të banesave e nëse në atë moment ndodhesh në rrugë mund të humbasësh edhe jetën.

Vetëm pak ditë më parë në rrugën e fshatit Fshat u përplasën dy automjete ku 5 anëtarë të një familjeje mbetën të plagosur. Sipas deklarimeve të drejtuesve të mjeteve makina e tyre kishte rrëshqitur për shkak të prezencës së lagështisë në rrugë.