Kjo është pamja e rrugës së Arbrit në hyrje të tunelit të Murrizit nga ana e fshatit Bastar Murrize. Çarja e tokës dhe ulja e trasesë nuk ka ardhur nga ndonjë fenomen natyror siç janë tërmetet, por sipas specialistëve si rezultat i mosbërjes siç duhet të nënshtresave të rrugës që nga hapja e saj. Deformimi i kësaj pjese rrugë është kthyer në burim aksidentesh për qindra automjete që kalojnë çdo ditë në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër. Drejtuesit e mjeteve thonë se rreziku është shumë i madh për shkak se mungon edhe sinjalistika paralajmëruese. Sipas tyre, firma jo vetëm që nuk është kujdesur për ta riparuar këtë deformim, por as të vendosë tabela që drejtuesit e mjeteve që lëvizin për herë të parë të informohen për rrezikun që i pret. Për shkak të kostos së madhe financiare që ka marrë kjo rrugë, drejtuesit e mjeteve shprehen se duhet të veprojë drejtësia për të kërkuar llogari deri në këtë fazë të punimeve.
Ky nuk është problemi i vetëm i rrugës së Arbrit pasi deformime të tilla aksi ka edhe në vende të tjera, sidomos në Xibër të Klosit.
Enver Doçi