Rekamë

  Reshjet e shirave të rëna gjatë muajit nëntor kanë nxjerrë në pah shumë probleme të rrugës së Arbrit. Problematikat nisin që në bajpasin e Murrizit e deri tek ura e Vashës. Shembja e karrexhatës në disa pika të bajpasit dhe gropat e thella të shumta në të, e bëjnë qarkullimin e automjeteve tepër të vështirë.

Shqetësuese mbetet situata edhe në segmentin e rrugës së Arbrit në Xibër. Deformimet e rrugës në shumë pjesë këtu, e kanë bërë kalimin e automjeteve të rrezikshëm. Siç duket nga pamjet, rruga ka pësuar ulje në anën e poshtme, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve. Këta të fundit shprehen se e gjithë rruga është e pasigurtë dhe se po ju rrezikohet jeta. Gjendjen e keqe të kësaj rruge e tregojnë edhe aksidentet që ndodhin thuajse çdo ditë. Drejtuesit e mjeteve, që përdorin këtë aks, kërkojnë që institucionet përgjegjëse t’i kërkojnë llogari firmës ndërtuese të rrugës së Arbrit, e cila ka lejuar qarkullimin në të.

Ndërkohë, për të shmangur hyrjen e ujit në tunelin numër 2 në fshatin Shkallë të Xibrit, firma është kujdesur që të vendosë jorganë e veshje të tjera.

Në dalje të tunelit numër 4 të rrugës së Arbrit, aksi ka pësuar çarje, ndërsa firma ka vendosur sinjalistikë për të paralajmëruar drejtuesit e automjeteve.